image Ministri Liburn Aliu del sërish para gjykatës, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Drejtësi

Ministri Liburn Aliu del sërish para gjykatës, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

news image

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca për shqyrtimin e dytë ndaj rastit të ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe disa të personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aliu akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, pasi që nuk lëshoi një leje për ndërtim, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha – Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017, si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017 dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”./Gazeta Sinjali/