image Ministri i ri i Integrimit Evropian tregon se kur kosovarët do të lëvizin pa viza

Kosovë

Viza/ Ministri i ri i Integrimit Evropian tregon se kur kosovarët do të lëvizin pa viza

news image

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka thënë se argumenti se liberalizimi i vizave nuk po ndodhë nga frika se do të ketë shumë azil kërkues, nuk është bindës.

“Në ambasadat e vendeve të bashkimit evropian përqindja e refuzimeve të vizave për qytetarët e Kosovës sillet nga 12 deri në 20 për qind që nuk është një nivel aq i lartë refuzues për të ngritur dyshimin se po të hapeshin kufijtë e tërë Kosova do të shpërngulej në BE. Ne kemi shtete shumëfish më të mëdha me dëshmi shumëfish më të lartë të korrupsionit siç është Ukrania, Gjeorgjia, Moldavia të cilave para shumë vitesh komisioni Evropian ia hoqi vizat e jo një Kosove e cila është 2 milionësh që nuk është as sa një lagje e Berlinit”, tha Reka në KTV.

Reka shtoi se bisedat që ka pasur më zyrtarë të BE-së për këtë çështje janë shpresëdhënëse

“Kanë mbetur dy kushte jo të pa tejkalueshme, domethënë janë kushte shumë shpejt dhe lehtë të arritshme nëse do të ketë një vetëdije në gjyqësorin tonë që të çkapet nga ndikimi politik dhe të procedojë jo pse e kërkon qeveria e Kosovës por sepse e kërkon profesioni i gjyqtarit. Duhet vetëm të procedohet me rastet të cilat janë taksativisht të numëruara edhe me numër edhe me emër”, tha Reka.

Ai theksoi se ka pasur takime me ministra të me qëllim të plotësohen kushtet që janë parakusht për eliminimin e hezitimit të shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën.

Ai tha se është optimist se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit, derisa ka shtuar se refuzon të jap data se kur do të ndodhë.

“Unë mund të them se brenda këtij viti jam optimist se do të hiqen vizat, këtë optimizëm e bazoj edhe në dy presidencat Kroate dhe Gjermane që janë presidenca miqësore, të shteteve mike dhe sidomos pos Kroacisë që edhe publikisht pa rezervë do të na përkrahin në procesin e liberalizimit të vizave por unë konsideroj se edhe një Gjermani e fuqishme që është motori I integrimeve Evropiane, do të shpaloset edhe një herë mundësia që nëse jo brenda presidencës kroate deri me 1 korrik nga 1 korriku i këtij viti ku 6 mujorin e dytë e ka presidenca Gjermane të krijohen të gjitha parakushtet edhe politike që ky proces gati një dekadësh të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.”

Ai tha se në ministrinë që ai udhëheqë ka gjetur shkresa ku kërkohen dëshmi të sakta për përfundimin gjyqësor të rasteve të kriminalitetit dhe korrupsionit të lartë dhe se ofrimi i këtyre dëshmive është një parakusht për t’i bindur tri shtetet të cilat ende nuk janë të bindura që të votojnë pro liberalizimit të vizave.

“Gjeta shkresa dokumente ku me vite është theksuar që problemi kyç për mos heqjen e vizave mbetet ofrimi i dëshmive të sakta, “track record” për përfundimin gjyqësor të rasteve të kriminalitetit dhe korrupsionit të lartë. Dhe unë nuk e kuptoj nëse kjo është thënë me vite përkundër faktit se në aspektin teknik Kosova në raportin e fundit të Komisionit Evropian i ka përmbyllur të gjitha kriteret për liberalizim, 95 kritere, përkundër faktit që Parlamenti Evropian po ashtu e ka dhënë deklaratën apo rezolutën e përkrahjes së këtij procesi, tani sot habitemi përse 2-3 shtete të cilat nuk do t’i përmendi për arsye diplomatike ende kanë hezitim. Këto janë tri shtete që na kanë njohur, nuk kemi të bëjë me refuzim të shteteve mos njohëse. Kemi të bëjë me shtete mike, përkrahëse por të cilat nuk po mund të binden se si është e mundur që për vite të tëra nuk mund të përfundoj një proces gjyqësor I profilit të lartë në fushën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Nuk kemi hezitim të ministrive të punëve të jashtme të këtyre shteteve por hezitimi është ministrive të punëve të brendshme. “ tha Reka.