Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Vesel Krasniqi më 9 shtator e kishte pezulluar nga puna sekretarin e kësaj ministrie, Burim Rrecin, nën arsyetimin se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të neglizhencës dhe mosbashkëpunimit nga ana e sekretarit, shkruan Gazeta Sinjali.
I pakënaqur me këtë vendim Rreci ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë për masë sigurie, shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të ministrit Krasniqi.
Gjykata Themelore ka vendosur miratimin e kërkesës së Rrecit dhe shtyerjen e ekzekutimit të vendimit të pezullimit.
Lidhur me këtë vendim, MTI ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo edhe këtu e ka humbur betejën për zbatimin e vendimit të marrë më 9 shtator.
Gazeta Sinjali ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhet se refuzohet si e pabazuar ankesa e MTI-së, derisa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 09 tetor 2020 vërtetohet.
Kështu Rrecit i është dhënë e drejta që të ushtrojë mandatin e sekretarit dhe ka paralajmëruar se të hënën do të paraqitet në punë dhe pret që të mos pengohet, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës.
“Ju njoftoj se të hënën me 23 nëntor 2020, në orar të rregullt do të paraqitem në punë dhe se kushdo që do të më pengoj në ushtrimin e detyrave të mia do të mbroj vendimin e Gjykatës dhe të drejtën time të garantuar me vendim të Gjykatës”, ka paralajmëuar ai.
Ndërsa të hënën mbetet të shihet se a do të respektohet vendimi i Gjykatës apo do të nxirret ndonjë vendim i ri ndaj Burim Rrecit.
Më poshtë mund ta shihni vendimin e plotë të siguruar nga Gazeta Sinjali: