Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ka deklaruar nga Shqipëria se Kosova është një realitet, pavarësisht se disa vende të Bashkimit Evropian vijojnë të mos e njohin.
“Kosova është një realitet, shumica e vendeve e kanë njohur, por ka disa shteteve të BE që nuk e kanë njohur. BE ka mundur të ndjekë një politikë koherente ndaj Prishtinës dhe Beogradit dhe do vazhdojë ta bëjë këtë. Duhet të presim për formimin e qeverisë në Kosovë, para se të mbajmë një qëndrim”, ka thënë kreu i diplomacisë austriake, gjatë një konference me ministrin shqiptar në detyrë, Gent Cakaj.
Nga ana e tij, edhe ministri Cakaj është shprehur se Kosova është realitet dhe se bashkëpunimi me Shqipërinë është i pa alternativë.
“Nuk më takon të komentoj atë që ka thënë Vuçiq, ngaqë për politikat e tij të brendshme ne nuk mund të ndryshojmë relacionet që kemi me Kosovën. Kosova i ka dhënë shembull rajonit, se si organizohen zgjedhjet, me çfarë standardi të lartë ndodh ndryshimi i pushtetit.
Kosova ka dëshmuar se ka një elektorat mjaft të pjekur. Ne mezi po presim të nisim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Kosova është realitet objektiv, pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe bashkëpunimi i dy vendeve është i pa alternativë”, është shprehur Cakaj.