Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ka kërkuar masa rigoroze ndaj disa bizneseve të cilat po e keqpërdorin situatën në vend për ngritje të çmimeve.
Bislimi tha se situata e fundit nga rreziku i koronavirusit, nuk duhet të keqpërdorët ose shfrytëzohet për pasurim të biznese, duke dëmtuar qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Për këtë, ministri i Financave potencoi se inspektorati do të dalë në teren për të identifikuar situatën, e në rast të keqpërdorimit do të mbyllen bizneset.
“Kemi pasur një takim dhe kemi diskutuar se çfarë masa të ndërmarrim që të mbrojmë qytetarët. Të kthej çmimet në nivelin normal, ATK-ja të dalë në teren për të inspektuar marketet dhe farmacitë për të identifikuar çmimet. Në rast se ka çmime të tilla, atëherë do të ndërmarrim veprime rigoroze në mbylljen e biznesit”, tha ndër të tjera ai.
Edhe Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se do të respektojnë të gjitha kërkesat e Qeverisë për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Të mos keqpërdoren situatat me qëllim të përfitimit. Do të bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë e shtetet. Nga nata e mbrëmshme ka raste që janë ngrit çmimet. Ne do të bëjmë inspektim në terren. Do t ë jemi të pa kompromis ndaj atyre që keqpërdorin këtë situatë”, tha Murtezaj.
Edhe pse deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv me virusin Covid-19, megjithatë institucionet e vendit po ndërmarrin masat parandaluese për përhapjen e tij./GazetaSinjali/