image Ministri i Ekonomisë raporton për leje të hidrocentraleve

Kosovë

Ministri i Ekonomisë raporton për leje të hidrocentraleve

news image

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se që prej marrjes së mandatit të tij në qershor të këtij viti është i obliguar që politikat për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës t`i përcjell përmes strategjisë që është votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kuçi është shprehur se nuk ka informacion se sa hidrocentrale operojnë në Kosovë që janë të kyçura në rrjet. Ai ka njoftuar se deri më tani është e lëshuar vetëm një leje mjedisore dhe, sipas tij, për vitet 2007 deri 2020 janë dhënë 22 leje ujore.

“Në mandatin tim janë lëshuar dy leje ujore dhe një leje mjedisore”, tha ai.
Kuçi këto deklarata i bëri gjatë raportimit në komisionin Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.
Kuçi është pyetur nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, se si po jepen lejet pasi, sipas tij, shumica e hidrocentraleve po tentohet të bëhen si zona të mbrojtura.

Ministri tha se ka dy lloje të lejeve, leje ujore dhe ato me koncesion.

Kuçi shtoi se vetëm në vitin 2010 qeveria ka hapur konkurs për leje me koncesion dhe kjo procedurë është parë jopraktike pasi, sipas tij, nuk ka mundur t’i tërheqë operatorët ekonomikë.

Ministri gjithashtu ka njoftuar edhe për procedurat e marrjes së lejeve.
“Merret pëlqim komunal për hidrocentralin aktual dhe nga ZRRE, marrja e kushteve ujore, marrja e pëlqimit ujor dhe leja ndërtimore. Kjo lëshohet nga komuna përkatëse nëse kapaciteti është deri 10 megavatë. Ndërsa, mbi 10 megavatë leja lëshohet nga Ministria”, tha ai duke shtuar se pjesa tjetër lëshohet pas ndërtimit të hidrocentralit.

“Pasi ndërtohet hidrocentrali Operatori Ekonomik aplikon për leje ujore. Leja ujore lëshohet pas vlerësimit se kushti i pëlqimit ujor është përmbushë. Leja e përdorimit jepet nga komuna ose ministria pas mbikëqyrjes se a është plotësuar në përpikëri ajo leje”, tha Kuçi.
Kuçi tha se janë duke e përgatitur një ankand publik në mënyrë që të mundësohet konkurrenca për të aplikuar për energjinë alternative./ Gazeta Sinjali/