image Ministri gjerman vëzhgon trajnimin e ushtarëve ukrainas për tanket Leopard 2

Botë

Ministri gjerman vëzhgon trajnimin e ushtarëve ukrainas për tanket Leopard 2

news image

Planifikimet për trajnimin e ekipeve ukrainase se si të përdoren tanket e avancuara gjermane, janë duke ecur në rrugë të duhur, ka thënë ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pasi ka vizituar një qendër ushtarake të trajnimit në veriperëndim të Gjermanisë.

“Synimi është që tanket Leopard 2 dhe Marders, të dërgohen në Ukrainë në fund të marsit dhe që trajnimet ushtarake të kryhen deri atëherë”, ka thënë Pistorius të hënën.

Gjatë vizitës së tij, Pistorius ka parë komandantët ushtarakë duke testuar pajisjet Marder dhe Leopard 2.

Ukrainasit pritet të trajtohen për pesë javë se si t’i përdorin këto pajisje, para se ato të dërgohen në fushëbetejë.

“Dallimi është sikurse mes Mercedesit dhe Ladës”, ka thënë një ushtar ukrainas teksa e ka komentuar dallimin mes pajisjeve gjermane kundrejt tankeve T-72 të epokës sovjetike që gjenden në Ukrainë.

“Synimi është që t’i bëjmë [ekipet ukrainase] të gatshme për luftë, në mënyrë që ata ta menaxhojnë veten në betejë”, ka thënë një zyrtar gjerman, duke shtuar se rreth 20 për qind e ekipeve ukrainase kanë përvojë për luftimet në fushëbetejë, derisa të tjerët kanë vetëm njohuri bazike ushtarake.

“Ukrainasit janë tejet të motivuar dhe shumë kërkues”, ka thënë zyrtari gjerman për agjencinë e lajmeve dpa.

Pistorius është shoqëruar në këtë vizitë nga një zyrtar i lartë i partisë Demokristiane si dhe nga ukrainasi Vladimir Klitschko, ish-kampion botëror në boks, vëllai i të cilit aktualisht është kryetar i Kievit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

/GazetaSinjali/