Ministri gjerman Michael Roth, tha se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi dy vendet kanë kryer detyrat e kërkuara dhe sipas tij meritojnë të shpërblehen.
Roth këtë deklaratë e ka dhënë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.
“Refuzimi do të rrezikonte seriozisht besueshmërinë e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po të krijojmë një vakum politik, atë do ta mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme. Partnerët tanë nuk duhet të shkelin fjalën e dhënë”, tha ai.
Michael Roth edhe para pak ditësh në një intervistë për DW tha se shpreson që më 15 tetor do të kenë sukses t’i japin dritën jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.