image Ministri Aliu flet për rrugën që lidh Prizrenin dhe Tetovën

Kosovë

Ministri Aliu flet për rrugën që lidh Prizrenin dhe Tetovën

news image

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, foli për rrugën Prizren-Tetovë, projektin e të cilës e cilësoi si shumë të rëndësishëm për shkak se  lidh Prizrenin me Tetovën, e po ashtu lidhet me rrugë që çojnë në Shkup, Durrës, Prishtinë e Tiranë.

Ai prezantoi vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e qeverisë për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë

Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh dy qytetet, Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridore 8 që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit dhe korridorit, rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë. Këto dy korridore do të mund të lidhen në mes veti përmes rrugës Prizren-Tetovë”, tha Aliu.

Sipas tij, studimet e parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive në Shkup dhe me vendimin e sotëm, Aliu tha se do të fillojë puna konkrete teknike drejt përfundimit të këtij studimi dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge. /GazetaSinjali/