Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të premten, më 10 janar, për të diskutuar për krizën iraniane.
Seanca e jashtëzakonshme do të zhvillohet nga ora 14:00-15:00.
“Kam thirrur në mbledhje të jashtëzakonshme Këshillin e Punëve të Jashtme, me vendet anëtare, të premrten pasdite,10 Janar, për të diskutuar zhvillimet e fundit në Irak dhe Iran. BE do të luajë rolin e saj të plotë për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve në rajon” njoftoi në një postim në twitter përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme të BE-së, Josep Borrell.
BE kërkon të qetësojë tensionet pas vdekjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani në një sulm ajror amerikan në Bagdad në fund të javës së kaluar.
Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, bënë sot thirrje që të gjitha palët të punojnë me urgjencë për një zbutje të tensioneve në Gjirin Persik.
Në një deklaratë, tre udhëheqësit dënuan sulmet e fundit kundër forcave të koalicionit në Irak dhe shprehën shqetësim të thellë për rolin “negativ” që Irani ka luajtur në rajon.
Deklarata bën thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe përgjeshmëri maksimale.
Në deklaratë i bëhet gjithashtu thirrje Iranit të frenohet nga veprime të tjera të dhunshme ose nga zhvillimi i armëve, duke i kërkuar të heqë dorë nga masat që nuk përputhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Një tjetër krizë rrezikon të prishë përpjekjet shumëvjeçare për stabilizimin e Irakut,” thuhet në deklaratë. “Ne gjithashtu riafirmojmë angazhimin tonë për të vazhduar luftën kundër Shteti Islamik, që mbetet një përparësi e lartë,” thanë udhëheqësit. /Gazeta Sinjali/