image Ministrat e BE-së kërkojnë nga Kosova e Serbia normalizim të marrëdhënieve

Politikë

Ministrat e BE-së kërkojnë nga Kosova e Serbia normalizim të marrëdhënieve

news image

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situata në vendet e përfshira në këtë proces, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, janë temat kryesore e takimit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, që mbahet të martën në Bruksel.

Në këtë takim, ministrat e bllokut kanë miratuar disa konkluza për përparimin e vendeve në procesin e zgjerimit.

Sipas njoftimit, ministrat kanë përshëndetur përparimin që ka bërë Kosova në procesin e reformave, në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, ndërsa kanë kërkuar nga vendi që të vazhdojë përpjekjet për luftë kundër krimit të organizuar.

Kosovës i është shprehur, po ashtu, mirënjohje për mbështetjen e qëndrimeve të BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Në konkluza shprehet mbështetja edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe pritja që çështja të përmbyllet sa më shpejt.

Nga Kosova, sikur edhe nga Serbia kërkohet që t’i shtojnë përpjekjet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me, siç thuhet, “besim të mirë dhe frymë të kompromisit”, për të arritur një marrëveshje ligjërisht obliguese.

Kërkohet që të dyja palët, pa vonesa, t’i respektojnë në tërësi të gjitha obligimet nga dialogu dhe të përmbahen nga veprimet apo deklaratat që nxisin tensione.

Kosova pritet të aplikojë këtë javë për anëtarësim në bllokun evropian. Nga aplikimi për anëtarësim deri te marrja e statusit të vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë.

/GazetaSinjali/