Atdhetarët Haxhi Zeka dhe Kadri Zeka ndonëse kanë rastisur ta kenë mbiemrin e njëjtë, janë dy personalitete të ndryshme kombëtare.
Të ndryshme janë edhe dy institucionet private të arsimit të lartë që mbajnë emrin e këtyre patriotëve.
Universiteti “Kadri Zeka” ndodhet në Gjilan, ndërsa ai “Haxhi Zeka” në Pejë.
Por, këtë dallim nuk arrijnë ta bëjnë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, të paktën, në bazë të një dokumenti që e ka siguruar Gazeta Sinjali.
Ndonëse, mbikëqyr arsimin e lartë, Ministri në largim i Arsimit, Shyqiri Bytyqi nuk i di ose ka problem t`i dallojë emrat e universiteteve.
Në vendimin e nënshkruar për emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Universitetit të Pejës, ministri Bytyqi e ka ngatërruar patriotin Haxhi Zeka me veprimtarin e çështjes kombëtare, Kadri Zekën dhe për pasojë edhe universitetet që mbajnë emrin e tyre.
Vendimi i nënshkruar, si i tillë, nuk dihet se cilit universitet i referohet.
Në kryerresht shkruan “Vendim për emërimin e anëtarëve të këshillit drejtues ‘Haxhi Zeka’ “, ndërsa në rreshtin pasues shkruan “Emërohen anëtarët e Këshillit Drejtues të universitetit ‘Kadri Zeka’.
Ky lëshim në dokument zyrtar shpërfaq papërgjegjësinë si pasojë e pakujdesisë dhe mosverifikimit të dokumenteve të nënshkruara ose mosdijen e drejtuesve të dikasteri të rëndësishëm për vendin rreth ekzistencës së dy universiteteve dhe me emra të ndryshëm.
Kujtojmë se Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” është në mesin e tri universiteteve publike që kishte dështuar të akreditohej për sivjet për shkak të mungesës së cilësisë. Ndërsa, për shkak të ndërhyrjeve politike në sistemin e arsimit nga ana e Qeverisë në largim, Haradinaj, Agjencia Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). /Gazeta Sinjali/