image Këto janë disa nga tekstet e gazetës “Rilindja” për përvjetorët e vdekjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës - Sinjali

Këto janë disa nga tekstet e gazetës “Rilindja” për përvjetorët e vdekjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

news image

Faqja e arkivit të gazetës “Rilindja” ka publikuar disa fotografi të teksteve që u shkruan për përvjetorët e vdekjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Njëra nga to, në fakt tregon lajmin për vdekjen e veprimtarëve të çështjes kombëtare, me titull “U vranë tre emigrantë”.

“Për yjet që çajnë errësirën” titullohet portreti përkujtues i shkruar për ta, në vitin 1995.

Kurse një tjetër fotografi shfaqë tekstin e shkruar për programin përkujtimorë të mbajtur në përvjetorin e vitit 1997, me titull “Promotor i lëvizjes dhe rezistencës”.

“Disa tekste të përvjetorëve të vdekjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe këto dy poezi që flasin tej heshtjes.

Rilindja dhe Bujku

Jusuf Gërvalla

Dashuria

dita aq shumë kish erë jargovani

përmbi krahë dritaresh, kishte aq shumë ditë

dhe dielli kishte edhe kripë

dhe unë mendoja se qe kjo dita kur linda

dhe po e njëjta mendoja kur vdiqa

kur do të vdes me kitarë një ditë

në ballin tim dhe e dheut era bar

barit era kripë, kripës era ujë

ishte ditë aq shumë, ishte ditë dhe diell

kishte aq shumë dimër dhe erë jargovani

Bekimi i nënës

le të piqen pemët kur të kesh ardhur sërish

bari i zverdhur fare le të jetë

nën çatitë e kullës le të pikojë shi

le të bëhët trasg cipa e tëmblit në kusi

le t’i marrë lumi urat e trerët le të thyhen

në cung le të ketë një sëpatë për dru

lulet e verës le t’i prerë kostari

le të ftohet

ka stinë kur veç parzma e nënës do të ngrohet” thuhet në postimin e Arkivit në Facebook.

17 janari i vitit 1982, është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, i cili ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin