image Minatorët paralajmërojnë greva dhe protesta nëse negociohet 'Trepça' në dialog me Serbinë

Sociale

Minatorët paralajmërojnë greva dhe protesta nëse negociohet ‘Trepça’ në dialog me Serbinë

news image

Minatorët e minierës “Trepça” në Stantërg kanë paralajmëruar eskalim të situatës nëse në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohen bisedime për Trepçën, transmeton Gazeta Sinjali.

Ata u kanë tërhequr vërejtjen qeveritarëve që të kenë kujdes që “Trepça” të mos përfshihet assesi si temë e këtij dialogu, në të kundërtën paralajmëruan greva dhe protesta.

Gani Osmani, kryetar i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës” në Stantërg, ka bërë të ditur se minatorët janë të shqetësuar tej mase rreth disa zërave se kjo ndërmarrje mund të jetë temë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, pakënaqësia mund të nxjerrë situatën nga kontrolli dhe t’i detyrojë minatorët të hynë në grevë dhe të mbajnë protesta, andaj ka apeluar te qeveritarët të kenë kujdes çka po nënshkruajnë.

“Le të kenë kujdes që ‘Trepça’ të mos jetë temë e dialogut me Serbinë, sepse Trepça është e vet minatorëve dhe pasuri që na ka falë Zoti neve në tokën tonë. Ne nuk kemi as det, as tokë pjellore, as ndonjë pasuri tjetër, do të thotë ne kemi veç ‘Trepçën’. Minatorët ndjejnë njëfarë pakënaqësie me këto bisedime dhe prej kësaj pakënaqësie janë në gjendje me hy ndoshta edhe në greva dhe protesta. Ne po e paralajmërojmë qeverinë që le të ketë kujdes. Çka po nënshkruajnë le të kenë kujdes sepse pakënaqësia mundet me nxjerrë situatën nga kontrolli”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu, Qazim Hyseni, minator, tha se nëse çështja e ‘Trepçës’ diskutohet me Serbinë, atëherë minatorët do të hyjnë në grevë dhe do të protestojnë njëjtë sikurse vitet e 90-ta.

Edhe Isa Beqiri, minator për më shumë se 40 vjet, ka potencuar shkuarjen këmbë në Prishtinë të minatorëve dhe të gjithë banorëve, nëse ‘Trepça’ bëhet temë e këtyre bisedimeve.

“Nëse bëhen bisedimet me Serbinë për Trepçën, ne jemi të njëjtit e vitit 1989 dhe do ta ftojmë tërë popullin me shku në Prishtinë. Ai që bisedon për ‘Trepçën’ dhe asociacionin e komunave, nuk ka vend në Kosovë”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/