Në një intervistë për shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë (Radio Farda), ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, tha se vendimi i Shqipërisë për dëbimin e diplomatëve iranianë është një vendim i pritshëm pas kërcënimeve dhe aktiviteteve të paligjshme të ndërmarra nga Irani kundër interesave të Shqipërisë.
Sipas tij, strehimi i anëtarëve të opozitës iraniane, Muxhahedin-e Khalk (MEK), është arsyeja kryesore e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por nënvizoi se si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria nuk është e vetme në përballjen me kërcënime të tilla.
“Nuk jemi në gjendje të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në marrëdhëniet mes Iranit dhe vendeve të tjera. Shqipëria, sigurisht do të mundohet të mos i përkeqësojë më tej marrëdhëniet me Iranin, por në të njëjtën kohë do të qëndrojë krah anëtarëve të NATO-s dhe vendeve të tjera që janë kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe kundër sistemeve diktatoriale”, tha ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo.