Regjistrimi i popullsisë, Kosovës do t’i kushtojë rreth 12 milionë euro apo rreth 6.5 euro për person, raporton Gazeta Sinjali.
Kosova është duke u përgatitur ta bëjë regjistrimin e popullsisë, ani pse kjo fillimisht ishte planifikuar të bëhej gjatë këtij viti.
Drejtori i statistikave sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka thënë se është e pritshme që regjistrimi të bëhet në muajin prill të vitit 2022.
“Ende nuk është caktuar data e saktë e regjistrimit të popullsisë, derisa bazuar në zhvillimet me pandeminë COVID-19 dhe zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor 2021, regjistrimi i pritshëm do të jetë prilli i vitit 2022. Kosto do të jetë rreth 12 milionë euro”, tha Kastrati për Sinjalin.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Nga ky regjistrim, numri i popullsisë rezidente në Kosovë sipas të dhënave të ASK-së ka qenë 1,820,631 banorë.
Në regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë, duhet të punësohen rreth 2,500-7,600 regjistrues, rreth 350-400 mbikëqyrës si dhe rreth 40-50 trajnues apo instruktorë.
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. /Gazeta Sinjali/