image Miku i Putinit dhe i Vuçiqit pjesë e takimit të Kurtit me Ramën

Kosovë

Takim/ Miku i Putinit dhe i Vuçiqit pjesë e takimit të Kurtit me Ramën

news image

Aktori francez Gerard Depardieu, që njihet edhe si njeri mjaftë i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë prezent në takimin e mbrëmshëm mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ndonëse nuk kishte qenë pjesë e takimeve kur Rama dhe Kurti kanë folur për bashkëpunimin mes dy vendeve, ai ka qenë aty afër, ku Kurti dhe Rama kanë shfrytëzuar mundësinë për ta takuar aktorin francez. Në fakt takimi i Kurtit dhe Ramës me aktorin Depardieu, ka ndodhur në kohën sa Kurti dhe Rama po pushonin nga takimi i tyre që zgjaste disa orë.

Aktori përveç se ka pasur disa takime me liderin rus dhe atë serb, njihet edhe për deklarata të tij politike që mbështetë Serbinë dhe Rusinë.

Përkundër që nga profesioni i tij nuk është i obliguar të merret me politikë, ai kishte dhënë në të kaluarën deklarata të shumta politike në mbështetje të politikave të Rusisë dhe Serbisë.

Një e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2014, kur kishte vizituar Beogradin dhe ishte takuar me Aleksandar Vuçiqin.

Aktori francez ishte shprehur shumë i lumtur që në atë kohë, Serbia nuk i kishte kthyer shpinën Rusisë për t’i vënë sanksione sikurse BE-ja, pas intervenimeve të Rusisë në Ukrainë.

“Problemi me Ukrainën nuk është i ri, por unë jam i sigurt që Putini do ta zgjidh atë”, kishte deklaruar aktori francez.

Aktori në fakt njihet edhe për raporte tejet të mira me vetë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. Atij i ishte dhënë pasaporta ruse nga vetë Putini në shenjë të miqësisë dhe respektit të ndërsjellë që kanë mes vete.

Aktori ishte akuzuar edhe për përdhunim dhe sulm seksual të një aktoreje të re në vitin 2018.

Sipas asaj që raportonte AFP, akuzat ndaj 70-vjeçarit i ka drejtuar një aktore franceze që në atë kohë ishte 22-vjeçe.

Përkundër kësaj, Depardieu kishte mohuar pretendimet e aktores 22-vjeçare që e kishte akuzuar për përdhunim.

Por çfarë kërkoi aktori francez në takimin Kurti-Rama?

Gerard Deardieu, është e qartë se nuk ka shkuar në Shqipëri vetëm për shkak të takimit mes Ramës dhe Kurtit. Ai aty ishte për shkak të xhirimit të filmit “Unë dhe Millosheviqi”.

Por se si kishte përfunduar ai në këtë takim mbetet misterioze, për shkak se askush deri më tani nuk ka treguar për cilësinë e tij në këtë takim.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një foto me Kurtin, ku aty mes të tjerëve është edhe aktori francezi.  Ai ka thënë se në momentin e pushimit nga takimi disa orësh me Kurtin, kanë shfrytëzuar rastin të takohen me aktorin Depardieu, ndaj të cilit Rama ka shprehur admirim.

“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin ‘Unë dhe Millosheviçi’”, ka shkruar Rama./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157103222716523