Mijëra persona janë mbledhur të shtunën në rrugët e Bagdadit për të protestuar kundër vrasjes së komandantit të lartë iranian, Qassem Soleimani.
Ky sulm, i autorizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, i ka shtuar tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Qytetarët irakianë u mblodhën në rrugët e Bagdadit të shtunën në mëngjes para nisjes së funeralit. Ata mbanin në duar flamuj të Irakut dhe të milicive shiite.
Qassem Soleimani ishte komandant i forcave Kuds dhe ishte përgjegjës për operacionet e ushtrisë iraniane në Lindjen e Mesme.
Ai u vra gjatë kohës kur po udhëtonte me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Irani i përkrah disa grupe militante shiite në Irak dhe është akuzuar vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara për financim të terrorizmit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se forcat e vendit të tij e vranë komandantin iranian që ta parandalonin një luftë, e jo ta nisnin një të re, shkruan “Reuters”./Gazeta Sinjali/