Në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara është thënë se rreth 2,000 fëmijë të rekrutuar nga rebelët Huthi – të përkrahur nga Irani – në Jemen, kanë vdekur në fushëbetejë në periudhën janar 2020 – maj 2021.
Raporti ka qarkulluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 29 janar, dhe në të është thënë se rebelët vazhdojnë të kontrollojnë kampet dhe të inkurajojnë të rinjtë që të luftojnë kundër Qeverisë kombëtare të Jemenit.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Jemen dhe rebelët Huthi janë përfshirë në luftë prej vitit 2014, kur kryengritësit kanë pushtuar kryeqytetin, Sanaa.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët ka intervenuar në Jemen më 2015, duke mbështetur Qeverinë e rrëzuar të presidentit, Abd-Rabbu Mansour Hadi dhe duke luftuar rebelët.
Konflikti ka lënë të vdekur mijëra persona dhe ka krijuar një prej krizave më të rënda humanitare.
Në raport, ekspertët e OKB-së kanë thënë se kanë hetuar disa kampe verore nëpër shkolla dhe një xhami ku rebelët Huthi rekrutojnë fëmijë për të luftuar, raporton REL.
“Fëmijët janë të udhëzuar për të thënë më zë të lartë sloganin ‘vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, vdekje hebrenjve, fitore Islamit”, ka thënë paneli i ekspertëve.
“Në një kamp, fëmijë të moshës shtatëvjeçare janë mësuar si të pastrojnë armët dhe të përdorin raketa”.