image Mijëra eurot që i kushtuan buxhetit të shtetit për mëditje e dreka të kabinetit të Kujtim Gashit

Kosovë

Financa/ Mijëra eurot që i kushtuan buxhetit të shtetit për mëditje e dreka të kabinetit të Kujtim Gashit

news image

Më shumë se 94 mijë euro janë shpenzuar nga kabineti i ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit, gjatë mandatit tri vjeçar për mëditje, udhëtime zyrtare, dreka, darka dhe pije. Vetëm ministri Gashi në këto dy kategori ka shpenzuar më shumë se 26 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare lidhur me shpenzimet e kabinetit të ministrit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit gjatë mandatit të Kujtim Gashit, në Qeverinë Haradinaj.

Të gjitha këto shpenzime u bënë nga ministri së bashku me 13 personat në kabinetin e tij, duke përfshirë 6 zëvendësministra dhe 7 këshilltarë të tij.

Këshilltari i vetëm i lartë i ministrit Gashi, Samir Hoxha dhe 6 këshilltarë tjerë të tij nga buxheti i Kosovës i kanë shpenzuar mbi 42 mijë euro, gati dyfish më shumë se 6 zëvendësministrat e kësaj ministrie.

Zëvendësministrat, Burbuqe Bakija, Rexhep Mazreku, Resul Makreshi, Boban Stankovic, Leonora Bunjaku dhe Arhim Ajvazi kanë shpenzuar mbi 25 mijë euro për mëditje, udhëtime zyrtare, dreka, darka dhe pije.

Vetëm për mëditje dhe udhëtime zyrtare në total janë shpenzuar mbi 66 mijë euro, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë shpenzuar mbi 4 mijë euro, në vitin 2018 janë shpenzuar afër 33 mijë euro, ndërsa për vitin 2019 janë shpenzuar mbi 29 mijë euro.

Në kategorinë tjetër të ndarë e quajtur “Reprezentacion” që përfshinë shpenzimet për dreka, darka, pije dhe dhurata, në total janë shpenzuar mbi 28 mijë euro në tri vitet e jetëgjatësisë së kabinetit të ministrit Kujtim Gashi.

Në vitin 2017 janë shpenzuar mbi 3 mijë euro, në vitin 2018 janë shpenzuar afër 15 mijë euro, ndërsa në vitin 2019, janë shpenzuar mbi 10 mijë euro./Gazeta Sinjali/