image Meta sulmon Ramën për ngulfatje të lirisë së medias: Qeveria frikëson gazetarët dhe mbyll emisionet

Politikë

Shqipëri/ Meta sulmon Ramën për ngulfatje të lirisë së medias: Qeveria frikëson gazetarët dhe mbyll emisionet

news image

Presidenti Ilir Meta iu është rikthyer sulmeve në adresë të mazhorancës qeverisëse.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, kreu i shtetit ngre shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së medias dhe të kushteve të punës së gazetarëve, ndërsa kritikoi indirekt qeverinë për mbyllje të emisioneve të televizioneve për shkak të presioneve politike, duke larguar nga ekranet e televizioneve figura të spikatura të gazetarisë.

Sipas tij, ato janë zëvendësuar nga panelet e emisioneve politike të mbrëmjes që nuk mbrojnë qytetarët, por oligarkët.

“Liria e medias në vendin tonë fatkeqësisht është përkeqësuar ndjeshëm. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Censura dhe autocensura ndihen qartësisht në raportimet e tyre të përditshme. Presionet politike të tejskajshme dhe të shumëllojshme kanë mbyllur emisione televizive dhe kanë larguar nga ekranet figura të spikatura të gazetarisë. Ndërsa panelet e emisioneve politike të mbrëmjes më shumë orientohen nga interesat e oligarkëve dhe PPP-ve, se sa nga interesi publik dhe kombëtar”, deklaroi ai.

Më tej, presidenti Meta shprehu bindjen se shumë portale janë porositur që të godasin me lajme të rreme dhe se këto media sipas tij, shkruajnë apo transmetojnë lajme të diktuara nga njerëz me pushtet. “Shumë portale në të zezë e kanë ngritur “Fake News” në sistem, duke u vënë në shërbim të shtetit të propagandës. Ndërsa praktikat e “kasetave të gatshme” dhe të transmetimeve me “regji qendrore” po u imponohen gjithmonë e më shpesh televizioneve”, u shpreh ai.

Po ashtu, kreu i shtetit hodhi akuza në adresë të qeverisë, duke e cilësuar nismën e saj ligjore anti-shpifje si një marrëzi. Sipas tij, shumë pronarë mediash janë të kapur nga qeveria.

“Një nismë ligjore “anti-shpifje” e propozuar nga qeveria tronditi thellë komunitetin e gazetarëve dhe organizatat botërore që monitorojnë lirinë e medias në vendin tonë. “Zëri i Amerikës” dhe “Deutsche Welle” vijojnë të mbeten të vetmet burime informacioni të besueshme për shqiptarët edhe 30 vite pas rënies së komunizmit, për shkak se mediat shqiptare vijojnë të trysnohen e shantazhohen, në kurriz të raportimit të lajmit të vërtetë duke humbur besueshmërinë në sytë e opinionit publik. Shqetësimet e gazetarëve të terrenit nuk dëgjohen, ndërsa shumë pronarë e drejtues mediash që përfitojnë burime financimesh të dyshimta apo nga fondet publike “çirren” paturpësisht për lirinë e medias”, nënvizoi presidenti Meta. /Gazeta Sinjali/