image Meta për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier: Thirrje alarmuese për institucionet

Shqipëri

Meta për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier: Thirrje alarmuese për institucionet

news image

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vrasjes makabre të 8-vjeçarit në Fier, Mateo Vasiu.

Përmes një postimi në rrjetin Facebook, Meta, shprehet se vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.

Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.  Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.  Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, shkruan Meta.

Mateo Vasiu u gjet i mbuluar me baltë, pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit, 38-vjeçarit Klodian Çalamani, në fshatin Grecalli të Fierit.

/GazetaSinjali/