image Këta janë të arrestuarit e dyshuar për grabitje të armatosur në Gjakovë

Kosovë

Gjakovë/ Këta janë të arrestuarit e dyshuar për grabitje të armatosur në Gjakovë

news image

Bedrush Latifi dhe Musë Shala janë dy personat e arrestuar gjatë operacionit policor të organizuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë, njofton Sinjali. 

Ata janë arrestuar nën dyshimin për grabitje të armatosura në rajonin e Gjakovës, pas një hetimi katër mujor të udhëhequr nga Drejtoria Rajonale e Hetimeve.

Gazeta Sinjali ka siguruar nga burimet e saj në prokurori foto nga ky aksion ku shihen provat materiale të konfiskuara. Policia gjatë bastisjes ka gjetur një armë të gjatë “shotgun”, një revole, maska dhe dorëza.

Sinjali merr vesh se armët e konfiskuara do të dërgohen në laboratorin e forenzikës për tu verifikuar nëse janë përdorur edhe në vende të tjera ku ka pasur grabitje të armatosura ditëve të fundit.

Ndaj të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit.

Sinjali, më herët gjatë ditës ka raportuar se të arrestuarit janë nip e dajë të dyshuar për disa grabitje në këtë qytet.

Ata dyshohet se janë përfshirë në dy grabitje të armatosura në dy pika karburanti të kompanisë “Fetoshi” në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit për të cilat ka raportuar dje gazeta online.

Fenomeni i grabitjeve në pikat e karburanteve është shtuar gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të inspektimit policor, nga 297 grabitjet që kanë ndodhur në vitin 2018, prej tyre 199 kanë qenë të armatosura.

Emrat e të apostrofuarve në këtë shkrim janë vetëm të dyshuar dhe prezumohen të pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tyre me vendim gjyqësor të formës së prerë.  /Sinjali/