image Mësimi në shkollën "Lidhja e Prizrenit" në Suharekë nis pa mësimdhënës/ DKA: Drejtori po i mban orët - Sinjali

Mësimi në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Suharekë nis pa mësimdhënës/ DKA: Drejtori po i mban orët

news image

Mësimi në shkollat fillore dhe të mesme filloi sot, gati një muaj me vonesë, kjo si shkak i gjendjes me pandeminë në vend. Mirëpo, siç duket shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”, në fshatin Budakovë të Suharekës, nuk i mjaftoi koha që të zgjidhë problemin me mësimdhënës për klasën e parë.

Ndonëse u hap konkursi për këtë pozitë, klasa e parë sërish mbeti pa mësimdhënës.

Në këtë shkollë për pozitën mësimdhënës/e për mësim klasor (zëvendësim i pushimit të lehonisë), nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm.

Këtë e bëri të ditur në një prononcim për Sinjalin, Remzi Bajselmani, drejtor i Arsimit në Komunën e Suharekës, i cili tha se për shkak që nuk kanë aplikuar më shumë se tre persona, nuk është përzgjedhur askush për këtë pozitë.

“Është shpallë konkursi më herët, nuk ka pasë konkurrentë të mjaftueshëm, është përsërit, pra është rishpall konkursi për atë pozitë”, tha ai për Sinjalin.

Ai ka theksuar se nuk është pranuar askush. “Jo, nuk është pranuar askush, konkursi është rishpall, procedurat janë duke u zhvilluar“.

Meqë, kjo shkollë ende nuk ka mësimdhënës, por ka nxënës, atëherë drejtori i kësaj shkolle po mban orët me nxënësit.

“Jo, orët nuk është duke i mbajtur askush, drejtori i shkollës është i mësimit klasor, sot në mëngjes kam biseduar me të, ai po e mban klasën. Gjatë javës po shpresojmë i kryejmë të gjitha procedurat”, përfundoi Bajselmani.

Për vitin shkollor 2021/2022, nga ana e Komunës së Suharekës është rishpallur konkursi më datë 10 të këtij muaji.

Në këtë konkurs kanë qenë të përfshira gjithsej 11 shkolla fillore të fshatrave të ndryshme që i përkasin komunës së Suharekës, në mesin e tyre edhe shkolla fillore “Lidhja e Prizrenit”.

Mirëpo, kjo shkollë nuk ka figuruar në listën përfundimtare të kandidatëve të pranuar në vendet përkatëse të punës.

Edhe më parë, konkretisht më datë 17 të muajit korrik, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të punës për vitin 2021/2022.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin