Viti i ri shkollor 2019/2020 fillon të hënën, por duket se 1 shtatori e ka zënë të papërgatitur Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë. Prindërit kanë sinjalizuar se nga bisedat me mësimdhënësit, janë informuar se MASHT ende nuk ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Kjo vonesë sipas prindërve po ndodh për shkak se tekstet shkollore ndodhen ende në shtyp.
Për mosfurnizimin e shkollave të ciklit të ulët me tekste shkollore, Sinjali ka dërguar pyetje në kabinetin e ministrit në largim të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, prindërit kanë sinjalizuar se ndihen të shqetësuar për këtë vonesë dhe shpresojnë që tekstet shkollore të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për këtë temë.