Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar besimtarët mylimanë me rastin e festimit të Fitër Bajramit.
Mustafa ka uruar për pranim të agjërimit dhe lutjeve të besimtarëve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, si dhe dashuri, mirëkuptim dhe mirëqenie në familjet e tyre
I pari i LDK-së po ashtu porositi besimtarët që devotshmërinë ta reflektojnë edhe në marrëdhëniet e tyre me të tjerët.
“Devotshmëria dhe përulja ndaj Zotit duhet të reflektohet edhe në marrëdhëniet më të mira ndërnjerëzore, të mbizotërojë paqja, dashuria dhe mëshira si vlerat më të larta humane”, ka shkruar ai./Gazeta Sinjali/
Ky është mesazhi i plotë i Mustafës:
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dërgon këtë telegram urimi:
“Të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Bashkësisë Islame, në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ua uroj festën e Fitër Bajramit.
Përmbyllja me devotshmëri e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku besimtarët myslimanë treguan përkushtim dhe adhurim ndaj Zotit, privuan veten nga ushqimi dhe pirja, në emër të solidaritetit dhe fisnikërimit të shpirtit njerëzor. Uroj që të gjithë ata që agjëruan, Zoti të ua pranoj agjërimin dhe lutjet e tyre.
Devotshmëria dhe përulja ndaj Zotit duhet të reflektohet edhe në marrëdhëniet më të mira ndërnjerëzore, të mbizotërojë paqja, dashuria dhe mëshira si vlerat më të larta humane.
Ky muaj nuk ishte i zakonshëm për besimtarët myslimanë, ngase ata nuk takuan njëri tjetrin dhe lutjet i bënë nga shtëpitë e tyre.
Kosova ka qenë gjithmonë shembull i tolerancës etnike dhe fetare, ndërsa ky mozaik është pasuri e çmuar e popullit tonë. Populli i Kosovës përmes festave çdoherë e më shumë po i forcon dhe kultivon vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes.
Paçi dashuri, mirëkuptim, tolerancë dhe mirëqenie në familjes tuaja.
Urime festa e Fitër Bajramit!”