Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Mero Baze, në një shkrim të tij, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të gjitha marrëveshjet me Serbinë të nënshkruar kohë më parë dhe për dialogun, ka mbjellë urrejtje.
Dhe tani sipas Baze, Kurti po i gëzohet një marrëveshje të cilën e kishte arritur, Hashim Thaçi dhe se nuk ka ndodhur asgjë e re për Kosovën por vetëm për Kurtin.
“Dje vërtet nuk ka ndodhur ndonjë gjë e re për Kosovën por ka ndodhur një gjë e re për Albinin dhe kjo nuk është pak. Njeriu që ka mbjell urrejtje ndaj bisedimeve me Serbinë dhe që ka akuzuar paraardhësit për tradhti, fiks për atë që dje kishte në tavolinë, është gëzuar që Vuçiq ja ka pranuar një pikë nga ajo marrëveshje e Hashim Thaçit. Shikojeni sa i gëzuar është ai dhe gjithë mbështetësit e tij, për të kuptuar se Kosova po ndrysho. Si mund t’i zemërohesh për këtë gjë. Lëreni njeriun të ndryshojë, lëreni ta kuptojë se vjen nga parapolitika dhe populizmi dhe po kupton se sa punë ka që të rikthehet një herë në vitin 2011, e pastaj të kapë vitin 2019, kur u shpall fitimtar. Serbët nga ana e tyre janë edhe më të gëzuar se Albini. Se ata po ashtu vijnë nga një mendësi primitive konflikti. Ata po gëzojnë që Albinit i kanë thënë, po vetëm me gojë, pasi nuk ka pasur nevojë me shkrim se Marrëveshja ka qenë”, ka shkruar ndër të tjerash Baze.
/GazetaSinjali/