Një metodë e re e mashtrimit të bashkatdhetarëve tanë dyshohet se po aplikohet në autostradën Nish -Beograd, nga persona me nacionalitet turk, e me vetura me targa gjermane, të cilët u paraqiten veturave me targa të huaja se kinse paratë u kanë humbur ose vjedhur, e u kërkojnë shuma të ndryshme parash në formë huazimi, duke u lënë peng stoli ari fals si dhe një vizitë kartë kinse me të dhënat e tyre në Gjermani, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas një sinjalizuesi, ata i kanë ndalur rreth 100 km pa hyrë në Beograd, ku u janë kërkuar 300 euro me arsyetimin se u kanë humbur paratë, mirëpo u kanë ofruar disa unaza “ari” si garanci që kur të shkojnë në Gjermani, ata t’ua japin të hollat dhe t’ua marrin “unazat”.
Vetura që e përdornin mashtruesit ishte me targa të Berlinit.
Në adresë të Gazetës Sinjali janë lajmëruar së paku edhe dy raste të tjera që u kanë huazuar mjete duke menduar që po u dalin në ndihmë, mirëpo askush më nuk është lajmëruar në numrat e dhënë nga kërkuesit e ndihmës.