Prej sot, mërgimtarët që ia mësyejnë Kosovës do të duhet të paguajnë vetë policat për sigurim kufitar. Deri në fund të vitit 2021, këto tarifa ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.
Për fillimin e aplikimit të këtyre tarifave ka njoftuar Byroja Kosovare e Sigurimeve, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.
“Ju njoftojmë se duke filluar nga data 01.01.2022, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), do të aplikojë tarifat e rregullta për sigurimin e detyrueshëm kufitar, të aprovuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), me të cilin duhet të pajisen të gjithë drejtuesit e mjeteve motorike me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, për mbulim e përgjegjësisë së tyre në rast shkaktimit të dëmit ndaj palëve të treta. Përmes kësaj komunikate iu informojmë se marrëveshja për mbulimin e policave për automjetet për pasagjerë dhe motoçikleta mes Qeverisë së Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit skadon më 31.12.2021”, thuhet në komunikatën e BKS-së.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte ndarë rreth pesë milionë euro në gusht të këtij viti, për pagesën e polices kufitare për mërgimtarët.