image Memli Krasniqi: Qeveria po e neglizhon rastin në Deçan

Politikë

Memli Krasniqi: Qeveria po e neglizhon rastin në Deçan

news image

Mbi 1 mijë e 500 qytetarë të Deçanit, nga e shtuna deri më sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit.

 Kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka vizituar këtë komunë, për shkak se është jashtë vendit, ndërsa ministri i Shëndetësisë dhe presidentja Vjosa Osmani, tek sot kanë shkuar për vizitë.

Për helmimin e mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit ka reaguar edhe kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ai ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt.

Krasniqi është shprehur i brengosur për siç ka thënë neglizhencën e qeverisë, e cila sipas tij me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.

“Jam i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit. Helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes. Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune. Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt. Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt“, ka shkruar ai.

Krasniqi ka thënë se qytetarëve të Deçanit duhet t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme institucionale lokale, e po ashtu edhe siguria, në mënyrë që të mos bëjnë panik. /Gazeta Sinjali/