Meksika është goditur nga një thatësirë ekstreme, që ka çuar në humbje të të korrave, mungesë të ujit dhe çmime më të larta për ushqimet, ndaj qeveria po përpiqet dëshpërimisht të gjejë një mënyrë duke iu drejtuar një teknologjie të diskutueshme, që njihet si “mbjellja e reve”.
Në korrik, vendi filloi fazën e fundit të një projekti që synon të stimulojë artificialisht reshjet. Projekti do të shtrihet në 62 bashki në veri dhe verilindje të vendit.
Kjo është një teknologji e zbuluar për herë të parë në vitet 1940. Që atëherë, ajo është përdorur në rreth 50 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, ndërsa vetë Meksika ka eksperimentuar me modifikimin e motit për më shumë se shtatë dekada.
Megjithatë, disa shkencëtarë janë shumë të kujdesshëm në lidhje me efektivitetin e kësaj teknologjie dhe paralajmërojnë se nuk është një zgjidhje për thatësirën.
Që mbjellja e reve të funksionojë, së pari ju duhet një re. Avionët ose dronët injektojnë grimca në re që tërheqin pika uji për t’u formuar rreth tyre, duke rritur mundësinë e reshjeve ose borës.
“E gjithë ideja nuk është krijimi i reve sepse ne nuk mund të bëjmë një re, por përpiqemi të zbresim në sipërfaqe një përqindje më të madhe të ujit që përpunohet në re”, tha Roelef Bruintjes, një shkencëtar i modifikimit të motit në Qendrën Kombëtare për Kërkimet Atmosferike në SHBA.
Projekti i Meksikës përfshin injektimin e grimcave të jodurit të argjendit në re nga avionët. Në mesin e korrikut, më shumë se 40% e Meksikës u godit nga thatësira mesatare deri në ekstreme, sipas shërbimit kombëtar të motit.
Vendi ka qenë gjithashtu i zhytur në një valë ekstreme të nxehti që ka vrarë të paktën 249 njerëz gjatë katër muajve të fundit.
Ky mot ekstrem vetëm sa do të përkeqësohet dhe valët e të nxehtit dhe thatësira do të bëhen më të zakonshme dhe më intensive, ndërsa kriza klimatike përshpejtohet, ndaj qeveria meksikane shpreson se stimulimi i reshjeve mund të ndihmojë fermerët të përballen më mirë me këtë problematikë.
Meksika pretendon se projekti i saj aktual i mbjelljes së reve, të cilin e ka nisur që nga dhjetori 2020, ka pasur një ndikim pozitiv. Në vitin 2021, fluturimet që injektuan retë rezultuan efektive me rreth 40% më shumë shi./abcnews.al