image Mehmeti: Janë aprovuar 90% të kërkesave për pezullimin e kësteve

Kosovë

Ekonomi/ Mehmeti: Janë aprovuar 90% të kërkesave për pezullimin e kësteve

news image

Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredisë po rishikohet rast pas rasti nga bankat me qëllim që këto përfitime të shkojnë vetëm te ata të cilët janë prekur nga kriza aktuale dhe deri më tash janë aprovuar rreth 90 për qind të kërkesave të klientëve për shtyrjen e kredive.

Kështu thotë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se bankat komerciale në asnjë mënyrë nuk duhet t’i rrisin tarifat për kryerjen këtyre shërbimeve gjatë kësaj periudhe.

Guvernatori Mehmeti në një intervistë për KP thotë se në këtë periudhë të pandemisë Covid-19, pas mbylljes së disa bizneseve, pritet të mbyllen vende të punës plotësisht dhe pjesërisht, si dhe një rënie ekonomike minus dy deri minus 4 (-2 deri-4).

“Ne veç i kemi paralajmëruar bankat që në rast se nuk e zbatojnë në plotni këtë vendim të Bankës Qendrore, ne do të fillojmë ekzaminimet për secilën bankë pasi që të përfundon kjo pandemi dhe do të marrim masa ndëshkuese ndaj të gjithë atyre institucioneve të cilat nuk e kanë respektuar vendimin e BQK-së. Mirëpo, mund të them se shumica ose 80-90 për qind janë aprovuar të gjitha kërkesat që janë paraqitë deri më tani në bankat komerciale”, thotë Mehmeti.

Ai beson se me planin e rimëkëmbjes ekonomike që do të jetë në vlerë shumë më të madhe se pakoja emergjente, do të ndihmojë ekonominë në këtë sfidë që po ballafaqohet vendi dhe e tërë bota.

Mehmeti po ashtu tha se kjo krizë do të ndikojë edhe në uljen e remitencave, investimeve të huaja dhe në rënien kreditimit.

“Me të drejt janë marrë një sërë masash kufizuese të aktivitetit ekonomik gjë që ka bërë që shumë biznese të mbyllen dhe kjo ndikon që individët ta humbin vendin e punës plotësisht apo plotësisht, kjo edhe si rezultat i asaj që presim edhe një rënie ekonomike minus dy(-2 deri-4)…Një kanal tjetër shumë i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga kriza pandemike mund të jetë edhe sektori i jashtëm. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej 10 përqind të GDP-së në baza vjetore. Rënia e aktivitet ekonomik në vendet e zhvilluara, pa dyshim pritet që të ndikoj edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë”, thekson Mehemti.

Guvernatori Mehmeti ka siguruar se sistemi bankar në vend është i sigurt dhe likuid, si dhe qëndrueshëm. /Gazeta Sinjali/