Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka pritur në takim homologun italian, Guido Crosetto dhe delegacionin e tij.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, tha se gjatë takimit i ka shprehur mirënjohje ministrit Crossetto, për kontributin e trupave italiane që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
“Ministrin Crosetto e njoftova me proceset zhvillimore nëpër të cilat po kalon Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, ndryshimet ligjore, masat e ndërmarra për ngritjen e mbikëqyrjes civile, avancimet e dukshme në aspektin profesional dhe operacional, investimet në armatime e infrastrukturë, e të gjitha këto në koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjik, rrugëtimi me të cilët është i pandashëm ngase i pandryshueshëm mbetet synimi jonë për anëtarësim në NATO dhe BE”, ka shkruar ministri Mehaj.
Sipas tij, shkëmbimi i përvojave ushtarake me Italinë është i rëndësishëm për ne, ashtu si është tejet e rëndësishme edhe anëtarësimi ynë në NATO.
Ndër të tjera, ministri italian shprehu falënderime për miqësinë dhe mikpritjen e Kosovës për trupat italiane, si dhe mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës ndaj krizës në Ukrainë.
Në fund, të dy ministrat u dakorduam për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.