Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë bërë homazhe në Poklek e Çikatovë të Vjetër, në 24 vjetorin e masakrës ndaj 77 banorëve të këtij fshati, raporton Gazeta Sinjali.
Mehaj tha se 77 viktimat e kësaj masakre të cilët përveçse janë vrarë, janë masakruar e pastaj dhe djegur, janë dëshmia e barbarisë së shtetit kriminal serb, ndërsa 17 prilli i vitit 1999 do të jetë data që përjetësisht do të qëndrojë ngulitur në memorien e familjarëve të viktimave, familjeve Muqolli, Caraku e Elshani, banorëve të Drenasit dhe gjithë Kosovës.
”Pajtimit të vërtetë i paraprin drejtësia e kërkim falja për viktimat, pranimi i ekzistencës së njëri-tjetrit e i fakteve, përgjegjësia shtetërore e shoqërore, dëmshpërblimi. Agresori të mos sillet si viktimë por të njoh realitetin”, shtoi Mehaj.