Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka komentuar hapjen e Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës.
Mehaj tha se ky fond është hapur pasi që është e domosdoshme që Ushtria e Kosovës të forcohet, dhe sipas tij, kjo është e vështirë të bëhet me buxhetin që qeveria ka ndarë për ushtrinë.
“Atdheu ynë ka nevojë për ne, jam i bindur që do t’i përgjigjemi pozitivisht siç kemi bërë gjithmonë. Donacioni i secilit është i çmueshëm dhe i pa zëvendësueshëm”.
“Vetëm së bashku mund të arrijmë qëllimin jetik – Ushtrinë tonë moderne dhe të pajisur sipas standardeve të NATO-së”, ka thënë Mehaj.
Tutje, i pari i Ministrisë së Mbrojtjes tha se Fondi i Sigurisë do të menaxhohet nga Ministria e Financave me transparencë dhe llogaridhënie të plotë.
“Ju falënderojë për të gjitha mesazhet që më keni dërguar, ekziston një mobilizim dhe vullnet i jashtëzakonshëm për të dhënë donacione për ushtrinë tonë. Ushtria jonë buron nga populli. Ajo i shërben vetëm popullit dhe paqes”, ka shkruar Mehaj.
Kujtojmë se dje, me vendim të kryeministrit Kurti, është themeluar Fondi i Sigurisë që ka për qëllim mbështetjen për Ushtrinë e Kosovës.