Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka zhvilluar një bisedë virtuale me homologun e tij kroat, Mario Banozic.
Mehaj tha se Kroacia mbështetë maksimalisht dhe avokon për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.
“Me Ministrin Banozic, diskutuam për situatën e përgjithshme të sigurisë të krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë si dhe reflektimit të tij në rajonin tonë. Me të ndamë të njëjtin qëndrim se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me orientim euroatlantik duhet të jemi të bashkuar në tejkalimin e çdo sfide që mund të cenoj sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”.
Tutje, Mehaj pohon se Banozic është zotuar se do të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Gjithashtu nga Ministri Banozic mora zotimin e tij për angazhim dhe mbështetje maksimale nga autoriteti i tij dhe Republikës së Kroacisë për avokim në synimin tonë për anëtarësim në NATO në proces të përshpejtuar. Ju faleminderit miku im, Ministër Banozic! Ju faleminderit Republikës së Kroacisë dhe popullit mik kroat! Së bashku më të fortë”, ka shkruar Mehaj.