Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se Serbia është duke prodhuar lajme të rreme, sipas tij, me qëllim që të krijojë ndjenjën e pasigurisë dhe destabilitetit në veri të Kosovës.
Mehaj madje tha se Beogradi është në gjendje t’i vrasë qytetarët e vetë, që t’ua lë fajin shqiptarëve.
“Beogradi po e dëshmon sërish atë që ka dëshmuar gjithmonë, që është prodhuesi më i madh i propagandës dhe lajmeve të rreme, për arritjen e qëllimeve të tyre që nuk përkojnë me demokracinë, paqen dhe stabilitetin, nuk kanë zgjedhur as forma, as mjete. Ata janë në gjendje të shkojnë aq larg, sa të inskenojnë raste dhe situata deri në atë nivel sa të vrasin qytetarët e tyre, e t’ua lënë fajin shqiptarëve. Rastet e tilla janë ende të freskëta për ne, kujtojmë rastin “Panda” ku u vranë gjashtë të rinj serbë, nga vetë forcat serbe dhe për këtë u akuzuan shqiptarët, ky rast më së miri dëshmon që propaganda serbe vazhdon deri në pa kufi”, ka shkruar Mehaj në facebook.
Sipas tij, fushata e nxitjes së urrejtjes dhe e krijimit të pasigurisë sidomos në veriun e vendit, nuk bëhet rastësisht, kjo, thotë se po ndodh pikërisht tani në prag të takimit të kryeministrit Kurti me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.
“Në vazhdimësinë e lajmeve të rreme, mediat serbe kanë publikuar lajmin kinse në veri të vendit kanë qarkulluar dy automjete të ushtrisë së Kosovës, ky lajm është i pavërtetë, është lajm i rremë. Të nderuar qytetarë, ju apelojmë të gjithëve, veçanërisht qytetarëve tanë të veriut të vendit, që të mos bien pre e mediave propaganduese të Serbisë”, ka shtuar ai.