Martin Berishaj, është ndër figurat më të përfolura ditëve të fundit, kjo për shkak të një skandali të publikuar nga mediumi slloven “TV Planet”, i cili e lidh ambasadorin kosovar me një skandal financiar, në të cilin thuhet se është i përfshirë edhe politikani slloven, Robert Golob, i cili shihet si kundërshtari kryesor i kryeministrit aktual, Janez Jansha.
Ashtu siç ka raportuar Planet TV, ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, ka pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se Berishaj i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë Golobit.
Media sllovene “Reporter.si”, e cila është e afërt me opozitën atje, ka dalur publikisht kundër Janshës në këto zgjedhje.
“Reporter.si“, bazuar në informacionet që ka, themeluesi i kompanisë MB Consulting është Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i cili ka raporte shumë të ngushta me partinë e Janez Janshës.
Mediumi tutje thotë se Berishaj e ka vizituar Janshën në zyrat e partisë disa herë dhe se një gjë e tillë vërehet edhe në postimet në rrjete sociale.
Po ashtu përmendet edhe fakti se Berishaj në vitin 2018 ka qenë një prej 64 qytetarëve më të njohur në Lublanë që kishte nënshkruar për të mbështetur kandidatin e partisë së Janshës, Anzhe Logarin, për kryetar të Lublanës.
Sipas tyre, atë vit, Berishaj e ka përkrahur Janez Janshën dhe partinë e tij publikisht.
“Shqiptarët në Slloveni me të drejtë vote, ditën e dielë, do ta japin votën e vet për Janez Jansha dhe partinë e tij SDS”, kishte shkruar Berishaj dhe kishte bashkëngjitur një fotografi teksa shtrëngonte duart me Janshën.
“Reporter.si” tutje thotë se Berishaj është një prej njerëzve kryesor të komunitetit shqiptar në Slloveni, që e përkrah Janshën.
Në fund të tekstit, Reporter shkruan se e gjithë kjo histori nënkupton që SDS-ja përmes TV Planet e ka trajtuar këtë ngjarje në të cilën miku i mirë dhe mbështetësi politik i Janshës luan rol të rëndësishëm.