image Mediumi serb: Modeli i dy Gjermanive në dialogun Kosovë-Serbi po shtyhet nga Franca

Politikë

Mediumi serb: Modeli i dy Gjermanive në dialogun Kosovë-Serbi po shtyhet nga Franca

news image

Para takimit të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gazeta serbe “Danas”, shkruan se Perëndimi i është kthyer idesë së “dy Gjermanive” si model për zgjidhjen e dialogut.

Sipas kësaj gazete, Perëndimi i është kthyer kësaj ideje, të hedhur poshtë më parë nga institucionet e Kosovës, pasi ka kuptuar se Vuçiqi nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Sipas burimeve tona ajo që së fundi është paraqitur si ide, sidomos e shteteve të forta të BE-së si Gjermania e Franca, është që marrëdhëniet Kosovë – Serbi të rregullohen ashtu që, autoritetet serbe në të ardhmen nuk do të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Siç precizohet, përfaqësuesi i Kosovës nuk do të njihej si ambasador, derisa Serbia nuk do të ishte e obliguar që në materialet e saj gjeografike të shlyente Kosovën nga territori i saj, njësoj siç ka bërë dikur Gjermania Perëndimore që e paraqiste Gjermaninë Lindore si pjesë të përbashkët të një shteti”, ka shkruar gazeta “Danas”.

Sipas kësaj gazete “edhe administrata Biden pajtohet me këtë, ndonëse do të ishte më e lumtura që dy shtetet të njihnin njëra-tjetrën”.

Nga mesi i qershorit, do të rinisë dialogu Kosovë – Serbi në Bruksel.

/GazetaSinjali/