Ekipi i televizionit serb N1 ka vërejtur se në rrugën drejt pikës kufitare të Jarinjës, në Rudnicë nga ana e Serbisë, dy kilometra para Jarinjës, janë vendosur gjashtë automjete ushtarake (topa me rreze të gjatë veprimi) të ushtrisë serbe dhe një numër i caktuar i policisë ushtarake.
Kujtojmë se mbrëmë, pas raportimit për të shtëna në Zubin Potok, është takuar e gjithë udhëheqësia e ushtrisë serbe dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviq u raportua se ishte nisur drejt Rashkës.
Ai tha për “TV Pink” se këto janë detyra komplekse dhe se ushtria me siguri do t’i përmbushë, pa dhënë detaje.
Gazetari i N1 shton se situata ishte krejtësisht identike edhe vitin e kaluar kur rruga Jarinje-Leposaviq u bllokua, në të njëjtin vend u vendosën automjete të blinduara dhe disa herë mbi të fluturuan avionë ushtarakë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka mbërritur në garnizonin e Rashkës, ku është pritur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq dhe gjatë ditës, siç thuhet nga Ministria e Mbrojtjes, do të vizitojë disa nga njësitë e Forcave të Armatosura Serbe në terren.
Mediat proqeveritare në Beograd, sipas N1, kanë raportuar mbrëmë se në Zubin Potok janë dëgjuar të shtëna nga armë zjarri, ndërsa disa kanë thënë se ka pasur shkëmbim zjarri mes serbëve vendas dhe policisë së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente mes pjesëtarëve të saj dhe ndonjë grupi në veri të Kosovës.
Përfaqësuesit e KFOR-it kanë bërë të ditur se në Zubin Potok ka pasur të shtëna, afër një patrulle të tyre, por se në atë incident nuk ka të lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. Ata deklaruan se po hetojnë incidentin në Zubin Potok dhe u bënë thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin retorikën dhe lëvizjet që mund ta përkeqësojnë situatën.