Videoja promovuese e Unionit të Bashkive Shqiptare, e cila paralajmëron aktivitetet në kuadër dhe gjatë festave të nëntorit, ka ngjallur reagime të ashpra në mediat pro malazeze në Mal të Zi.
Reagimi i parë erdhi nga portali Pobjeda, i afërt me Partinë Demokratike të Socialistëve, ndërsa më pas u përcoll edhe nga mediat e tjerë, të njohur për qasje të njëjtë. Në shkrimet e tyre, kritikohet videoja në fjalë, pasi në të ka edhe pamje të Ulqinit.
Videoja është shpërndarë edhe në faqen e facebook-ut të Komunës së Ulqinit, por më pas është hequr. Pobjeda lidhur me këtë i është drejtuar edhe kryetarit të Komunës, Omer Bajraktarit, por nuk ka marrë përgjigje.
Ajo çka bie në sy në këto shkrime, është niveli i kritikave për faktin se Ulqini është pjesë e festimeve të muajit nëntor, ku në veçanti 28 Nëntori festohet si festa e flamurit dhe pavarësia e Shqipërisë.
Sipas autorëve të këtyre shkrimeve, është e papranueshme që Ulqini të festojë pavarsinë, sipas tyre, të një shteti tjetër. Situata është edhe më agresive në komentet e vizitorëve të këtyre portaleve, ku nuk mungojnë fjalët fyese për drejtuesit e komunës, dhe kryeministrin Abazoviq.
Edhe pse me gjuhë më pak vullgare, qëndrimi i tyre antishqiptar në komente, është mjaft i ngjajshëm me ato në portalet serbe.