image Mediat botërore: Ish-komandantët e UÇK-së që luftuan për pavarësi nga Serbia po akuzohen për krime lufte

Botë

Mediat botërore: Ish-komandantët e UÇK-së që luftuan për pavarësi nga Serbia po akuzohen për krime lufte

news image

Sot është konfirmuar aktakuza e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, nga Gjykata Speciale, i cili dha dorëheqje para se të niset për në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.

Për konfirmimin e aktakuzave ndaj Thaçit, Veselit e Selimit, kanë raportuar edhe mediat më të njohura botërore.

Gazeta e njohur londineze, Reuters ka raportuar duke thënë se presidenti Thaçi jep dorëheqjen pasi konfirmohet padia për krime lufte.

“Presidenti i Kosovës Thaçi jep dorëheqjen pasi konfirmohet padia për krime lufte”, është titulli i agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters.

Gjithashtu, gazeta amerikane, The Washington Post ka publikuar një lajm për ish-presidentin e Kosovës, duke thënë se Thaçi dhe të tjerët ishin “penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje”.

Ndërkaq, sipas Washington Post, një zëdhënës i prokurorit në Hagë tha për Associated Press se ai nuk kishte asnjë koment mbi njoftimin e Thaçit.

Tutje vazhdohet se Thaçi është një nga disa politikanët që janë paditur për krime që përfshijnë vrasje, zhdukje me forcë, përndjekje dhe tortura.

Midis tyre është edhe ish-kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, i cili gjithashtu tha se atij i është lëshuar një aktakuzë nga një gjykatës i procedurës paraprake.

“Tre ish-komandantë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftuan për pavarësi nga Serbia janë akuzuar për krime lufte nga gjykata dhe një Zyrë e Prokurorit Special e themeluar pesë vjet më parë”, shkruan WP.

Gjithashtu, Washington Post përmendi faktin se lufta e Kosovës nga Serbia në vitin 1998-1999 për pavarësi përfundoi pas një fushate ajrore 78-ditore të NATO-s kundër trupave serbe, ndërsa në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, diçka që Serbia ende nuk e ka njohur. /Gazeta Sinjali/