Jo vetëm politika gjermane ka reaguar pas ashpërsimit të tensioneve në veri. Edhe mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në veriun e Kosovës.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në analizën e saj pas ashpërsimit të situatës në veri, shkruan se ajo që po ndodh aktualisht në veriun e Kosovës është një shkallëzim i rrezikshëm, të cilin perëndimi duhet ta marrë seriozisht. “Për shkak të konfliktit në Ukrainë shumë kanë harruar, se lufta nuk është rikthyer këtë vit në Europë. Fuçia e parë e barutit, që shpërtheu pas Rënies së Murit ishte ish-Jugosllavia. Por shumë më tepër se në Ukrainë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë mundësi direkte të ndikimit në Ballkan. Prandaj duhet këtë herë të jetë parimisht e mundur, që ta vendosin gjendjen sërish nën kontroll. As Serbia dhe as Kosova nuk kanë interes për dhunën apo kthime serioze pas në marrëdhënien me perëndimin. Për Moskën kjo nuk vlen. Vetëm për këtë arsye është kaq urgjente, që europianët të kujdesen më fort për Ballkanin”.
Kurse gazeta “Märkische Zeitung” reagon në lidhje me politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe Rusisë. “Megjithatë Vuçiqi pritet gati me përulje nga përfaqësues të Bashkimit Europian. Kjo politikë “appeasement” e qetësimit ka bërë që gjendja të shkallëzohet. Prandaj ka ardhur koha për ndryshim të politikës: Faktorët perëndimorë duhet të kërkojnë qartë nga presidenti serb t’i japë fund provokimeve dhe dëshirës për fuqinë e madhe serbe dhe të kontrollojnë kanalet e rrjedhjes së parave nga Rusia. Përveç kësaj BE duhet që ta kushtëzojë dhënien e parave tek Serbia dhe të kuptojë më në fund që Vuçiqi as nuk do të hyjë në BE”.
Ndërsa “Welt” nën titullin “Loja e ndezjeve e Serbisë mund të përhapë zjarrin” shkruan se shumë të le të kuptosh, se është Rusia në sfond, që e nxit konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, edhe për të shkaktuar pasiguri në perëndim. “Presidenti Putin e përdor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si ndihmësin e tij. Në rastin më të keq grindja mund të dalë jashtë kontrolli dhe të shkaktojë një konflikt të zgjeruar në Ballkanin e brishtë, megjithë prezencën e NATO-s dhe këtë para derës së BE.” “Welt” analizon më tej se përplasjet aktuale tregojnë, se marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE nuk ishte me shumë vlerë. “Marrëveshja ishte shumë miqësore ndaj serbëve kundrejt Serbisë dhe nuk i zgjidhi problemet me detyrimin për qeverinë kosovare për të lejuar një asociacion të komunave serbe- Nuk është e kuptueshme pse BE këtë marrëveshje deri më sot e nxjerr atë kudo përpara”.