Viti 2021 nuk ka qenë aspak i lehtë për gazetarët dhe mediat, në kuptimin e një terreni të përshtatshëm për kryerjen e punës së tyre, vlerësojnë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Trendi i ngjashëm ka vazhduar edhe në katër muajt e parë të vitit 2022, thonë nga ky asociacion.
Gjatë vitit 2021, në këtë organizatë janë raportuar 29 raste të sulmeve dhe kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve, forma të ndryshme të shantazhit, tendenca për frikësimin e gazetarëve, përdorim i gjuhës linçuese ndaj tyre dhe forma të tjera të pengimit të gazetarëve në kryerjen e punës.
Ndërkaq, vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2022, në AGK janë raportuar 11 raste të ngjashme.
Pengesat, fyerjet dhe gjuha nxitëse nga politikanët
Naile Dema-Selmani, anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në shumicën e rasteve, format dhe tendencat për pengimin e punës së gazetarëve dhe mediave vijnë nga njerëzit në pushtet, ose që janë të lidhur me pushtetin.
“Në shumicën e rasteve, kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Qeverinë aktuale, por gjithmonë pengesat e tilla vijnë prej njerëzve në pushtet, ose prej njerëzve që janë ngushtë të lidhur me pushtetin. Ka raste – më të rralla se këto – që mund të vijnë prej grupeve tjera të interesit, për shembull prej ndonjë përfaqësuesi të ndonjë komuniteti fetar ose të bizneseve të ndryshme – pra, kur një gazetar e prek ndonjë biznes, ndonjë biznes të caktuar të dikujt”, thotë Dema-Selmani.
Rastet e raportuara në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës këtë vit përfshijnë arrestimin e një kameramani të agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, më 3 shkurt, derisa po mbulonte një aksion të policisë në një ndërmarrje në Suharekë.
Pastaj, më 9 shkurt, Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë, duke i quajtur ato “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Më 22 shkurt, ekipi i RTV Dukagjinit është sulmuar fizikisht në Prishtinë, derisa po raportonte për deklarimin e të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës.
Më 8 prill, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka cilësuar mediat në Kosovë dhe në Shqipëri si “mercenare” dhe “të shitura”.
Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj gazetares Besarta Hoti, duke i cilësuar pyetjet e saj si “budallallëqe”.
Juristja e së drejtës së medias në Kosovë, Flutura Kusari, njëherësh këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2021, por edhe gjatë vitit 2022, politikanët në disa raste kanë përdorur gjuhë fyese dhe denigurese ndaj gazetarëve.
“Për më tepër, gjuha denigruese, fyese dhe nxitëse nga politikanët në drejtim të gazetarëve është rritur, duke i bërë ata shënjestër të sulmeve ‘online’ dhe ‘offline’”, thotë Kusari.
“Qeveria ka raporte të shëndosha me mediat”
Nga Qeveria e Kosovës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë raporte të shëndosha me mediat dhe se kjo është “Qeveria e parë që nuk ka raporte transaksionale” me to. Ata nuk shpjegojnë më shumë për “raportet transaksionale”.
“Në rastet kur ka pasur trajtim joadekuat [të mediave] nga institucionet, sikur pati ndodhur në rastin e arrestimit të kameramanit të agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, reagimi jonë ka qenë i menjëhershëm. Policët e përfshirë u janë nënshtruar procedurave diciplinore”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
“Mungesa e bashkëpunimit” të Qeverisë me mediat
Por, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ngre shqetësimin për, siç thotë, “mungesën e theksuar” të qasjes së gazetarëve në dikasteret qeveritare dhe në marrjen e përgjigjeve nga këto dikastere.
Naile Dema-Selmani thotë se gazetarët e kanë raportuar këtë si problem në AGK, gjatë viteve 2021 dhe 2022.
“Të gjithë ne që jemi gazetarë, në baza ditore, dhe që kemi nevojë për përgjigje të Qeverisë, të ministrive, të institucioneve të ndryshme, e dimë se sa vështirë është të arrijmë deri te një informatë zyrtare. Do të thotë, ka njëfarë mungese të bashkëpunimit në këtë drejtim dhe kjo, pa asnjë diskutim, mbetet një prej shqetësimeve më të mëdha të komunitetit tonë”, thotë Dema-Selmani.
Flutura Kusari vlerëson se liria e shprehjes dhe e mediave është duke u cenuar nga vetë njerëzit në pushtet.
“Puna e gazetarëve, vitin e fundit, është bërë shumë, shumë e vështirë. Ata e kanë gati të pamundur të marrin informacione. Nuk ka konferenca të rregullta për media. Zëdhënësit zgjedhin t’iu përgjigjen vetëm disa mediave dhe qasja në dokumente publike është vështirësuar”, thotë Kusari.
Qeveria thotë se bashkëpunon me të gjitha mediat
Por, nga Qeveria e Kosovës, e cila është zgjedhur në mars të vitit të kaluar, thonë se, deri më tani, ekzekutivi – përfshirë Zyrën e Kryeministrit dhe ministritë – “ka organizuar mbi 150 konferenca për media, në të cilat përfaqësues të Qeverisë u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve”.
Po sipas Qeverisë, ka pasur mbi 120 paraqitje televizive apo intervista të përfaqësuesve të lartë të Qeverisë në secilin televizion të Kosovës “pa përjashtim”.
“Në të njëjtën kohë, të gjitha vendimet e Qeverisë dhe ministrive janë bërë publike në ueb-faqet përkatëse. Sa i përket qasjes në dokumente publike, nga 84 kërkesa që janë pranuar nga Zyra e Kryeministrit brenda vitit të saj të parë, 81 sosh kanë marrë përgjigje të plotë; për dy prej tyre Zyra e Kryeministrit nuk ka qenë në posedim të dokumenteve të kërkuara dhe një kërkesë ka qenë në procedurë. Pra, praktikisht, çdo kërkesë në qasje për dokumente publike ka marrë përgjigje të plotë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës për REL-in.
Në Kosovë dhe vende të tjera shënohet më 3 maj Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Në këtë ditë, organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij publikoi Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, në të cilin Kosova radhitet më mirë, përkatësisht në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.
Por, përkundër përparimit në renditje, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, vlerësuan Reporterët pa Kufij.
Në pjesën për Kosovën të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, është thënë se Qeveria, në përgjithësi, e ka respektuar të drejtën e shprehjes, por raporte të besueshme kanë treguar se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare kanë bërë përpjekje t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.