Sipas planit për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë, të zhvilluar nga Komiteti për Imunizim kundër COVID-19 dhe nga grupi punues i themeluar nga MSH-ja, parashihet që në fazën e parë të vaksinohet vetëm tre për qind e popullatës, ku do të hyjnë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit.
Në fazën e parë, që pritet të kryhet vaksinimi me anë të vaksinave që do të vijnë nga programi COVAX, do të vaksinohen në total rreth 54 mijë persona.
Në fazën e dytë, është paraparë të vaksinohen 17 për qind e popullatës, apo rreth 306 mijë persona, edhe kjo me ndihmën e vaksinave të COVAX-it.
Ndërkohë në fazën e tretë, sipas planit të hartuar, pritet të vaksinohen edhe 50 për qind e popullatës apo rreth 900 mijë persona.
Në total sipas planit, pritet të vaksinohet 70 për qind e popullatës, apo në total 1.26 milionë banorë, e që do të duhen sipas llogarive të komitetit 2.66 milionë doza të vaksinave, shkruan koha.
Për vaksinim kundër COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro. Në planifikim është thënë se duhet bërë zëvendësimi i pajisjeve aktuale të zinxhirit të ftohjes, pasi ajo që e ka Kosova është 20 vjet e vjetër dhe nuk i përmbush kriteret e OBSh-së për ruajtjen e vaksinave. Zëvendësimi është vlerësuar se kushton mbi 2.2 milionë dollarë.
Komiteti ka treguar edhe variantet, varësisht se çfarë vaksine përdoret në fazën e tretë.
Nëse përdoret në fazën e tretë të vaksinimit vaksina e AstraZenecas, që mund të ruhet në temperatura 2 deri 8 gradë Celsius, atëherë kostoja do të jetë më e ulët, 5.147.157 dollarë.
Nëse përdoret vaksina e Modernas, kostoja do të jetë 42.305.400 dollarë. Kjo vaksinë duhet të ruhet në temperaturë minus 20 gradë Celsius. E nëse përdoret vaksina e Pfizer/BioNTech, atëherë kostoja do të arrijë në 34.549.410. Kjo vaksinë duhet të ruhet në temperatura minus 70 gradë Celsius./Gazeta Sinjali/