image Me përplasje e akuza, miratohet rishikimi i buxhetit

Financa

Me përplasje e akuza, miratohet rishikimi i buxhetit

news image

Sot, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të projektligjit për rishikimin e buxhetit, edhe përkundër përplasjeve dhe akuzave mes pozitës dhe opozitës.

I pari që hapi debatin për çështjen e projektligjit për buxhet ishte ish kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se pushteti duhet ta ndërrojë qasjen, pasi sipas tij është për keqardhje mungesa e bashkëpunimit edhe për çështje të rëndësishme për vendin.

“Shpresoj që të ndërrohet kjo frymë e bashkëpunimit, por shpreh keqardhje për mënyrën si i keni kaluar amendamentet. Deputeti Hamza që ka qenë gjithashtu ministër i Financave ka dhënë plotë komente, jo amendamente që kanë implikime buxhetore, por komente se si mund të përmirësohet disa prej amendamenteve që buxheti të bëhet më funksional”, tha Hoti.

Një gjë të tillë e mohoi deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani.

“Për shkak se ju keni qenë dëshmitarë se në mbledhjen e kaluar të komisionit janë refuzuar kërkesa të ministrive që kanë ardhur. Natyrisht që refuzohen kërkesat nga komunat, pasi kërkesat e tyre nuk kanë bazë për t’u shqyrtuar. Nëse deri tash ishte praktikë ku edhe në rishikime bëhen pazare me subjekte e deputetë, mendoj se tash ka kaluar kjo kohë. Tash do të punohet ku është interesi i qytetarëve”, u shpreh Rrahmani.

Kurse Pal Lekaj nga AAK, tha se pushteti ka bërë pazar me rishikimin e buxhetit.

 “Është bërë e padrejtë ndaj kërkesave të kryetarëve të komunave që kanë qenë projekte tre vjeçare. Pothuajse 80 për qind këtyre projekteve janë ndaluar për shkak të buxhetit. Të kemi bashkëpunim ndërmjet vete. Ajo që ka votuar për presidenten, kërkesa e saj është aprovuar në këtë komision. Albena Reshitajt i është aprovuar në këtë komision, këtu çka po i vjen era. Mendoj se ne nuk kemi bërë pazare me askënd. I vetmi amendament që ka kaluar është i Albena Reshitajt. Kjo është e padrejtë”, u shpreh Lekaj.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Komisionit nga radhët e LVV-së, Armend Muja, i cili tha se i vetmi pazari ka qenë ai i minimizimit të borxhit publik.

/GazetaSinjali/