image Me kërkesë të mbrojtjes, shtyhet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit

Drejtësi

Me kërkesë të mbrojtjes, shtyhet seanca fillestare ndaj të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit

news image

Gjykata Themelore ka vendosur ta shtyjë seancën fillestare në rastin ku të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, ngarkohen për vrasjen e Bedri Rexhepit. Ky vendim u mor për shkak se mbrojtja kërkoi të shtyhet seanca në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.

Kërkesa erdhi nga avokati i të akuzuarit Nexhat, Shemsedin Piraj dhe avokatja e të akuzuarit Jeton, Alberina Foniqi.

Propozimi i mbrojtjes, nuk u kundërshtua nga prokurori Armend Hamiti dhe as nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.

Në këto rrethana, Gjykata e shtyu seancën për 14 nëntor 2022 e cila do të mbahet në ora 13:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër vëllezërve Vllasaliu si të akuzuar për vrasjen e rëndë dhe për dëmtimin e kufomës së biznesmenit.

Javën e kaluar, Prokurori Armend Hamiti që ka hetuar rastin e zhdukjes së biznesmenit nëpërmjet një konference për media, ka njoftuar se trupi i viktimës është gjetur më 30 shtator dhe se identifikimi i tij është konfirmuar me anë të ekzaminimeve antropologjike.

Ai ka bërë të ditur se motivi i vrasjes ka qenë përfitimi financiar nga i ndjeri Rexhepi.

“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale, për fat të keq është i ulët, pasi sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30.000 euro, të cilat të akuzuarit kanë besuar se tani i ndjeri Bedri Rexhepi i posedon, për të cilin kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha prokurori Hamiti.

Lëvizjet e të akuzuarve, sipas Hamitit, janë gjurmuar nëpërmjet ekzaminimit të telefonave të tyre me anë të antenave.

“Të mos harrojmë, gjatë kësaj kohe, veprimet hetimore, po i cek disa, kemi bërë ekzaminim të telefonit të të pandehurve për të siguruar prova e në atë funksion është bërë hartografia e lëvizjes së të pandehurve dhe viktimës përmes telefonit dhe antenave telefonike. Janë siguruar të gjitha kamerat ku ka pasur lëvizje të viktimës dhe të pandehurve në ditën kritike dhe në ditët në vijim”, tha Hamiti.

Vetura e afaristit Rexhepi ishte gjetur e braktisur në afërsi të fshatit Shushicë të Graçanicës gjatë muajit prill, përderisa trupi i tij, në malet e Komunës së Novobërdës, më 30 shtator.

Për ngritjen e aktakuzës që rëndon mbi dy të akuzuarit, në prokurori kanë njoftuar se janë përdorur edhe masa të fshehta të Policisë dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me autorizim nga gjykata. Në hetimin e rastit janë përfshirë njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa janë dëgjuar 29 dëshmitarë.

Në prokurori kanë njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime edhe ndaj dy personave të tjerë, të cilëve nuk u janë zbardhur emrat dhe për të cilët nuk janë gjetur prova të mjaftueshme, në fazën e parë të hetimeve.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/GazetaSinjali/