Pasi e dhunoi ish-bashkëjetuesi e dëboi nga shtëpia, sot 26-vjeçarja së bashku me vajzën e saj 13 muajshe ndodhet në rrugë.
Dy vjet më parë vajza u njoh rastësisht me djalin nga Kosova, pasi familja e tij kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit për pushime.
“Isha 23 vjeçe kur u njoha me bashkëshortin, kur ndodhesha në plazh me mamin. Prindërit e tij më pëlqyen shumë, më thanë që kishin një djalë. Ai ndodhej në Kosovë nuk ishte me ta. Më kërkuan të shkëmbeja numrat e telefonit. Pasi ata kanë shkuar në shtëpi në Kosovë, djali i tyre më mori në telefon. Pas 2 javësh erdhi nga Kosova i shoqëruar nga disa familjarë të tij. Babai i tij ka ngulmuar të më bënte nuse në atë familje. Ndenjëm bashkë, në fillim mu duk shumë djalë i mirë, nuk di çfarë ndodhi më vonë. S’më ka thënë që ka qenë 2 herë i martuar dhe unë isha gruaja e tretë e tij. Këto i zbulova kur shkova atje tek ai”, tregoi 26-vjeçarja.
Vajza rrëfen se filluan grindjet të cilat sipas saj shkaktoheshin nga familja e djalit. Situata arriti deri në dhunë, ndërsa në jetë kish ardhur edhe një fëmijë, një vajzë e cila aktualisht është 13 muajshe.
Ajo rrëfen se ish-bashkëjetuesi kishte filluar ta dhunonte madje kishte tentuar edhe ta vriste. Por kjo e fundit menjëherë kishte lajmëruar të ëmën e cila e solli vajzën në Shqipëri.
Sot kjo familje gjendet në mëshirë të fatit, e ëma nuk ka asnjë të ardhur, ndërsa 26- vjeçarja së bashku me fëmijën e saj 13 muajsh nuk ka asnjë mbështetje.
Ajo rrëfeu se dhuna nisi pas lindjes së vajzës. Ndërsa e akuzoi se i ka futur thonjtë në fyt.
“Fëmija ishte me dëshirë, kur isha shtatzënë nuk isha e qetë. Kur kisha lindur vajzën, kur ajo ishte 7 muajshe ai më dhunoi. Kur ka lindur, gocës i kanë tërhequr këmbën dhe ia thosha atij që vajza nuk ishte mirë. Ai më thoshte ‘vajza nuk ka asgjë’. E çuam tek mjeku, e vizituam. Mjeku tha që e kishte këmbën e nxjerrë. Ai më dhunoi mua se pse insistoja se vajza e kishte këmbën e sëmurë.
Unë mendova ta çonim fëmijën në Shqipëri. Ai nuk pranonte. Atë natë se di se si e ka bërë, më futi thonjtë në grykë. Unë ia largova vetë dorën dhe mora policinë 2 herë në telefon dhe denoncova që burri më kishte dhunuar. Ky iku direkt nga shtëpia dhe nuk erdhi fare atë natë. Unë isha shumë e stresuar. Të nesërmen telefonova nënën time e cila erdhi dhe më mori”, tha 26-vjeçarja për News24.
Pas kësaj, partneri i ka kërkuar falje dhe ajo është rikthyer, por me sa duket situata ka vijuar njësoj. Ajo kërkoi të bashkohet me partnerin e saj por duke i kërkuar të vijë të jetojë me të dhe vajzën në Shqipëri.
“U riktheva në shtëpi atëherë. Nuk më kanë mbaruar ndjenjat për të. Nëse ai ka ndryshuar unë rikthehem për vajzën dhe akoma e dua atë. Nga ai dua jo të rikthehemi atje po ai të vijë dhe të jetojë me mua dhe vajzën”, tregoi 26-vjeçarja./Gazeta Sinjali/