image Më 15 qershor do të lansohet dokumentari kushtuar aktorit, Bekim Fehmiu

Film

Film/ Më 15 qershor do të lansohet dokumentari kushtuar aktorit, Bekim Fehmiu

news image

Dokumentari kushtuar 10-vjetorit të ikjes nga jeta aktorit të mirënjohur shqiptar, Bekim Fehmiu, do të lansohet më 15 qershor, ditën kur aktori ndërroi jetë.

Procesi i realizimit të këtij dokumentari ka filluar në vitin 2016, por ekipi i këtij filmi tha se ai nuk ka përfunduar deri tani për shkak të mungesës së fondeve.

Skenaristi i dokumentarit, Fahri Musliu në një konferencë për media tha se dokumentari, i cili do të dalë më 15 qershor do të jetë i metrazhit të gjatë.

“Skepticizmi im ishte te ana materiale sepse të realizohet një film i tillë kërkon një angazhim të madh, mirëpo dëshira dhe përkushtimi për ta realizuar këtë film ndoshta do t’i tejkaloj të gjitha këto barriera. Filmi do të jetë i metrazhit të gjatë, 90 minuta”, tha Musliu.

Mirëpo, Musliu ndjehet i zhgënjyer, pasi sipas tij, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka mbështetur katër projekte të huaja, por jo edhe projektin për aktorin e njohur, Bekim Fehmiu.

Regjisori i dokumentarit, Valmir Dertani thotë se Qendra Kinematografike e Shqipërisë i ka ndihmuar për realizimin e dokumentarit, ndërsa ajo e Kosovës nuk i ka sponsorizuar.

“Qendra kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, e cila ka sponsorizuar filmin, po ta sponsorizonte Kosova do të ishte më mirë, sepse tash do të kishim xhirimet”, është shprehur Derteni.

Kujtojmë se Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar që ka luajtur me sukses në filma gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të tij janë: “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”dhe “Dezertori”. /Gazeta Sinjali/