Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka shkruar se janë vërtetuar shkeljet e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.
“Sapo pranuam Vendimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë për shkarkimin e z. Nehat Thaçi – drejtor i SHKK-së. Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë ka vërtetuar shkeljet, keqpërdorimet e tejkalimet ligjore nga tashmë ish-drejtori i ShKK-së, z. Nehat Thaçi”, ka shkruar Sallahu.
Ai thotë se pretendimet e MD-së janë aprovuar si të drejta dhe do të shërbejnë si dëshmi në Prokurorinë Speciale.
“Pretendimet tona që u provuan si të drejta, do të shërbejnë edhe si dëshmi shtesë për Prokurorinë Speciale, ku e kemi dorëzuar kallëzimin penal ndaj të shkarkuarit në fjalë dhe të tjerëve të përfshirë në këto raste. Siç kemi thënë në vazhdimësi, do të jemi të pakompromisë ndaj shkeljeve dhe dukurive tjera negative përbrenda institucioneve”, ka shkruar Sallahu.
Ndryshe, në maj të këtij viti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati deklaruar në një konferencë për media se do të nisin procedurat për shkarkimin e Thaçit. Pak ditë pas kësaj, zëvendësministri Sallahu bëri me dije se është dorëzuar kallëzim penal kundër Thaçit. /GazetaSinjali/